Qeveria në detyrë në tetorin e këtij viti, ka miratuar rritjen e pagës minimale, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi që nga janari i vitit 2026, raporton GazetaBlic.
Paga minimale, e cila aktualisht është 350 euro, do të rritet në dy faza, fillimisht në 425 euro në janar, ndërsa nga 1 korriku do të bëhet 500 euro në muaj për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Analisti politik, Avni Arifi, në një prononcim për GazetaBlic, e konsideron këtë vendim si një lëvizje elektorale dhe me bazë të dobët ligjore.
Sipas Arifit, pushteti aktual po e përdorë buxhetin e shtetit në funksion të interesave partiake.
“Kjo qeveri është kampione në rajon në përdorim të buxhetit të shtetit për qëllime të partisë”,tha ai, duke u shprehur i sigurt se varësisht nga rezultatet e sondazheve “ Kurti do shpërndaje para të shtetit”.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme, ai thotë se vendimet e ndërmarra nuk kanë bazë të fortë ligjore dhe se secila qeveri, përfshirë edhe një qeveri potenciale të Vetëvendosjes, do i rishikojë këto vendime.
“Pas vendimit të gjyjatës supreme, të gjithë e dinë se këto veprime kanë mungesë të bazës ligjore dhe çdo qeveri e re, duke përfshirë edhe një qeveri potenciale të VV-së, do t’i rishikon këto vendime”, përfundoi analisti.


