Analistët politikë në televizionin Tëvë1 kanë komentuar listat zgjedhore të partive politike, duke analizuar renditjet, kandidatët e rinj dhe pozicionet që ata mbajnë brenda subjekteve të tyre.
Analisti politik Selami Shkodra ka folur lidhur me renditjen e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se ndryshimet në lista të bëra nga kryetari i partisë, Albin Kurti, janë reflektim i performancës së kandidatëve gjatë mandatit.
Sipas Shkodrës, fakti që Hysen Durmishi është zhvendosur nga numri 60 në numrin 24 në listën zgjedhore, tregon se puna e tij është vlerësuar lart nga Kurti dhe partia. Ai shtoi se Durmishi, i cili aktualisht është ministër në detyrë i Infrastrukturës, ka pasur një rol të rëndësishëm në realizimin e projekteve rrugore.
Shkodra vlerëson se Durmishi pritet të marrë përkrahje të gjerë nga qytetarët dhe potencialisht të renditet ndër kandidatët më të votuar të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit.


