Lajme

Presidenca reagon pas qarkullimit të një fotografie të rreme të Vjosa Osmanit

12/08/2025 20:59
nga:Genita C

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër pas qarkullimit në rrjete sociale të një fotografie të manipuluar, e cila është krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale me qëllim denigrimin e figurës së Presidentes së vendit.

Në reagimin zyrtar thuhet se imazhi është plotësisht fake, një montazh i ndërtuar që synon të krijojë konfuzion te publiku dhe të dëmtojë reputacionin e Presidentes.

“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja.

Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Presidenca e cilëson publikimin e materialeve të tilla si një akt të ulët dhe të rrezikshëm, duke e lidhur atë me fushata të organizuara për përhapje të dezinformimit dhe përpjekje për të baltosur institucionet e shtetit.

Institucioni i Presidencës i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa ndaj përhapësve të këtyre dezinformatave, të cilat paraqesin rrezik për sigurinë publike, stabilitetin dhe institucionet e vendit.

“U bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”, thuhet tutje në reagim.