Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një vizitë në Gjilan, të cilën e ka cilësuar si një ditë të mbushur me energji, kreativitet dhe frymëzim.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka njoftuar se ka uruar kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, për mandatin e tij të dytë, me të cilin ka bashkëbiseduar për projektet që synojnë të sjellin më shumë zhvillim dhe mundësi të reja për qytetin.
“Urova Kryetarin Alban Hyseni për mandatin e tij të dytë dhe bashkëbiseduam për projektet që do t’i japin qytetit më shumë zhvillim dhe mundësi të reja.
Së bashku kaluam çaste të paharrueshme në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, me disa performanca frymëzuese nga Kori i grave ‘Muza’, si dhe në mesin e më të vegjëlve e më të ëmbëlve, në kopshtin IP “Integj”, shkroi e para e shtetit.
Osmani ka vizituar po ashtu kompaninë InterPLAST TROCAL, ku në kuadër të vizitës, ajo u ndal edhe në Klubin e Futbollit “Drita”, të cilin e përgëzoi për arritjet në garat vendore dhe ato evropiane, duke theksuar se po e përfaqëson Kosovën me dinjitet.
“Po ashtu, dëgjuam për sukseset e kompanisë InterPLAST TROCAL, si lidere në rajon dhe një shembull i shkëlqyer i punës së mirë, inovacionit dhe vizionit që e çojnë shtetin tonë përpara.
Vizituam edhe klubin e futbollit “Drita”, të cilët i përgëzova për rezultatet në nivel shtetëror, e posaçërisht në garat evropiane, në të cilat po na bëjnë krenarë të gjithëve.
Faleminderit Gjilan”, shkroi Osmani.


