Lajme

KQZ hedh shortin: Subjektet politike mësojnë numrat për zgjedhjet e 28 dhjetorit

12/07/2025 14:58
nga:G B

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor.

Nga gjithsej 23 subjekte politike të certifikuara, përfshirë 17 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Sipas shortit të hedhur nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje, e cila garon në koalicion me GUXO, do të paraqitet në fletëvotim me numrin 116.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë numrin 123, ndërsa Nisma Socialdemokrate do të garojë me numrin 122.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të jetë e renditur me numrin 129, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës me numrin 130.

Nga koalicionet e certifikuara, përveç atij të LVV-së me GUXO-n, Koalicioni PAI–PDAK–LPB është renditur me numrin 125, ndërsa Koalicioni Vakat do të garojë me numrin e caktuar nga shorti i KQZ-së.

Në garë janë edhe dy iniciativa qytetare, Nisma Qytetare për Kosovë, e cila do të jetë në fletëvotim me numrin 117, si dhe iniciativa PSA me numrin 131.

Kandidati i pavarur Nexhmedin Sedillar do të paraqitet me numrin 119.

Po ashtu në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë edhe subjektet politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) do të garojë me numrin 112, subjekti FJALA me numrin 114, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës me numrin 115, JGP Partia Unike Gorane me numrin 118, Partia Liberale Egjiptiane me numrin 120, ndërsa Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do të jetë me numrin 133.

Lista Serbe, e cila është certifikuar një ditë më parë, do të mbajë numrin 127 në fletëvotim.

Këta janë numrat me të cilët subjektet politike do t’u drejtohen votuesve në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa fushata pritet të nisë nga 17 dhjetori.