Sporti

Atletico Madrid bie në ‘San Mames’, feston Athletic Bilbao

12/06/2025 23:29
nga:Mergim Rreci

Athletic Bilbao ka fituar derbin e javës së 15-të në La Liga kundër Atletico Madrid me rezultat 1:0.

Takimi i zhvilluar në “San Mames” për një kohë të gjatë u luajt pa gola, derisa skuadra vendase siguroi fitoren në minutat e fundit. Alex Berenguer u shpall hero i ndeshjes pasi shënoi golin e vetëm në minutën e 85-të, pas një aksioni të nisur nga Nico Williams.

Në pjesën e parë, Basqët krijuan disa raste, por pa arritur të gjejnë rrugën e golit. Thiago Almada rrezikoi i pari për mysafirët, ndërsa Nico Williams pati dy tentativa në fund të pjesës, por portat mbetën të paprekura.

Pjesa e dytë u karakterizua nga duel i ashpër taktik mes trajnerëve Ernesto Valverde dhe Diego Simeone, me shumë luftë në mesfushë dhe pak situata të qarta për shënim. Megjithatë, goditja e Berenguerit pesë minuta para fundit vulosi fitoren.

Pas kësaj ndeshjeje, Athletic Bilbao renditet në pozitën e shtatë me 23 pikë, ndërsa Atletico Madrid mban vendin e katërt me 31 pikë.

Ndërkaq, Barcelona ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive në La Liga, duke triumfuar me rezultat 5:3 në udhëtim te Real Betis.

Kjo ndeshje ‘prodhoi’ tetë gola dhe shumë emocione. Ferran Torres ishte lojtari më i dalluar te skuadra katalunase, duke realizuar “hat-trick”.