Mbi 900 persona kanë humbur jetën në ishullin Sumatra të Indonezisë pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut shkatërruese, njoftoi Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive. Autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet për shkak të mungesës së ushqimit në zonat e prekura.
Stuhitë tropikale dhe monsunet kanë goditur rajonin e Azisë Jugore dhe Juglindore gjatë javës së fundit, duke shkaktuar fatkeqësi që kanë marrë mbi 1,790 jetë në Indonezi, Sri Lanka, Malajzi, Tajlandë dhe Vietnam.
Në provincat Aceh dhe Sumatra Veriore, përmbytjet kanë shkatërruar rrugë, kanë mbuluar shtëpi me baltë dhe kanë bllokuar furnizimet. Guvernatori i Acehut, Muzakir Manaf, tha se ekipet e shpëtimit po kërkojnë ende trupa nën baltën “deri në bel”, ndërsa rreziku më i madh tani është uria në fshatrat e paarritshëm, raporton AFP.
“Shumë njerëz po vdesin nga uria, jo nga përmbytjet”, tha ai, duke shtuar se zona e Aceh Tamiang është “plotësisht e shkatërruar”, me fshatra të tëra që tashmë ekzistojnë vetëm me emër.
Banorët e zhvendosur rrëfejnë se kanë kaluar ditë të tëra në ndërtesa të braktisura, duke ndarë ushqimet e pakta që kishin. Ndërkohë, shumë prej tyre ndihen të braktisur nga qeveria që heziton ta shpallë gjendjen e fatkeqësisë kombëtare, një hap që do të lejonte mobilizimin e më shumë burimeve.
Autoritetet indoneziane ngurrojnë ta ndërmarrin këtë veprim, sipas analistëve, për të shmangur përshtypjen se vendi nuk po e menaxhon dot situatën pa ndihmë të huaj.
Ndërsa uji tërhiqet, dëmet po bëhen më të qarta. Vetëm në Indonezi numri i të zhdukurve ka arritur në 410, ndërsa në Sri Lanka bilanci i viktimave ka shkuar në 607. Tajlanda ka raportuar 276 të vdekur, Malajzia dhe Vietnami nga dy viktima secili, pas shirave të rrëmbyeshëm që shkaktuan rrëshqitje të tjera dheu.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë ciklin monsunor gjithnjë e më të paparashikueshëm dhe vdekjeprurës, ndërsa shpyllëzimi dhe prerja e pyjeve në Sumatra kanë përkeqësuar rrëshqitjet dhe përmbytjet.


