Lajme

Ish-zyrtari i lartë i DEA-s akuzohet për bashkëpunim me kartelin famëkeq meksikan

12/06/2025 18:16
nga:Sh R

Një ish-zyrtar i lartë i Agjencisë Amerikane të Luftës kundër Drogës (DEA), Paul Campo, është vënë nën akuzë nga autoritetet federale në SHBA, i dyshuar se ka bashkëpunuar me kartelin meksikan Jalisco New Generation (CJNG) për trafikun e drogës dhe pastrimin e miliona dollarëve. Akuzat u bënë publike të premten, ndërsa Campo, me gati 25 vite shërbim në DEA, u paraqit në gjykatë dhe u deklarua i pafajshëm, por u la në paraburgim.

Sipas prokurorëve të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Campo dhe bashkëpunëtori i tij, Robert Sensi, dyshohet se konvertuan para “cash” në kriptomonedha për të blerë 220 kilogramë kokainë me vlerë 5 milionë dollarë, si dhe për të pastruar 750 000 dollarë nga shitjet e drogës në emër të CJNG-së, organizatë që Departamenti i Shtetit e ka shpallur këtë vit si grup të huaj terrorist.

Në total, dy burrat dyshohet se kanë rënë dakord të pastrojnë të paktën 12 milionë dollarë për kartelin. Hetuesit theksojnë se Campo dhe Sensi janë takuar disa herë me një burim konfidencial të qeverisë, i cili ishte infiltruar duke u shtirur si përfaqësues i kartelit, shkruan a2 CNN. Gjatë një takimi në Nju Jork, Campo madje ka treguar edhe distinktivin e tij të vjetër të DEA-s, duke pretenduar se “ndihmon klientët të rikuperojnë paratë e tyre”.

Ish-zyrtari i lartë i DEA-s akuzohet për bashkëpunim me kartelin

Në një operacion të mëvonshëm, burimi konfidencial u kërkoi të merrnin pjesë në një marrëveshje të madhe droge. Campo dhe Sensi transferuan mbi 200 000 dollarë kriptomonedha në një portofol që mendonin se i përkiste shitësit, por që në fakt kontrollohej nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS).

Të dy të dyshuarit po përballen me akuza për komplot të trafikut të drogës, narko-terrorizëm, ofrim mbështetjeje materiale për CJNG-në dhe pastrim parash. Autoritetet thonë se hetimet vazhdojnë.