Kryetari i Vushtrrisë që vjen nga PDK, Ferit Idrizi, është deklaruar pro një marrëveshje të mundshme që Fatmir Limaj të hyjë në listën e PDK-së për deputet.
Ferit Idrizi e ka arsyetuar qendrimin pro futjes në listën e PDK-së të Fatmir Limajt, duke thënë se përgatitja për fitore kërkon bashkëpunime strategjike dhe koalicione, me qëllim të rritjes së forcës politike dhe të votës së re.
“Lidhur me këtë çështje, qëndrimi im mbetet i palëkundur: unë jam plotësisht pro që z. Fatmir Limaj të përfshihet si kandidat në listën e PDK-së, në bazë të një marrëveshjeje të mirëfilltë politike. Arsyeja është e qartë: përgatitja për fitore kërkon bashkëpunime strategjike dhe koalicione, me qëllim të rritjes së forcës politike dhe të votës së re për Partinë Demokratike të Kosovës. Përfshirja e tij në listë do të nënkuptonte: pasurim të listës zgjedhore, zgjerim të potencialit elektoral, shtim të votave të përgjithshme, dhe, si rezultat, rritje të numrit të deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës“, ka thënë Ferit Idrizi për Veriu.info.
I pari i Vushtrrisë thotë se sipas bindjes së tij, futja e Limajt në listën e PDK-së është një vendim me kuptim politik, vlerë strategjike dhe interes të qartë elektoral për partinë.


