Zyrtarë të lartë të rendit në Kubë kanë deklaruar se vendi po i jep përparësi luftës kundër trafikut të narkotikëve në Karaibe dhe vazhdon të bashkëpunojë me Rojet Bregdetare të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht tensioneve në rritje dhe pranisë së shtuar ushtarake amerikane në rajon.
Koloneli Ybey Carballo, shefi i Gardës Kufitare të Kubës, tha se angazhimi formal mes dy vendeve kishte përfunduar gjatë administratës së presidentit Donald Trump, por theksoi se Kuba vazhdon të ofrojë inteligjencë, vendndodhje dhe të dhëna mbi anijet e dyshuara për trafik droge pranë ujërave të saj.
“Kuba nuk është një vrimë e zezë siç thonë disa. Qasja jonë proaktive ndihmon sigurinë e rajonit dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara,” u shpreh Carballo, citohet të ketë thënë ai nga Reuters.
Sipas tij, Kuba ka dhënë mbi 1 mijë e 500 informacione për trafikantët e drogës Rojeve Bregdetare amerikane që nga viti 1990 deri më 30 nëntor 2025, duke treguar angazhimin afatgjatë të vendit në këtë luftë.
Kuba ndodhet në një korridor kyç mes prodhuesve të mëdhenj të drogës në Amerikën e Jugut dhe konsumatorit kryesor, SHBA-ve. Departamenti i Shtetit amerikan ka deklaruar më herët se ishulli nuk është një pikë e madhe konsumimi, prodhimi apo tranziti për narkotikët.
Administrata Trump ka nisur muajt e fundit një ofensivë kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor, duke akuzuar presidentin venezuelian Nicolas Maduro, aleat i Kubës, se përfiton nga tregtia e drogës. Kuba i ka kritikuar këto sulme, duke akuzuar SHBA-të se synon përmbysjen e dhunshme të qeverisë venezueliane.
Carballo tha se forcat kubane të sigurisë nuk kanë vënë re ndryshime të mëdha në aktivitetin e trafikut të drogës rreth ishullit, pavarësisht intensifikimit të operacioneve ushtarake amerikane.


