Lajme

28 dhjetori/ Analistët: Anomali – vota e diasporës shpërndahet, qytetarët e Kosovës drejt BE-së për fundvit

12/03/2025 23:07
nga:G B

Më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen sërish kutive të votimit, për herë të dytë për zgjedhje parlamentare, e për herë të tretë, duke llogaritur dhe zgjedhjet lokale.

E, rol të rëndësishëm në këtë proces kanë edhe votat e diasporës, për të cilat partitë po bëjnë fushatën më të madhe.

Diaspora po përmendet me të madhe nga partitë, duke e bërë atë vendimtare për rezultatin.

Megjithatë, duket se partitë politike në vend po harrojnë qytetarët që jetojnë në Kosovë e do të votojnë më 28 dhjetor.

Madje, duket se po harrojnë faktin se shumë prej tyre mund të mos votojnë fare, derisa planifikojnë që për festat e fundvitit të udhëtojnë drejt vendeve evropiane.

Por, sa pritet të ndikojë kjo në rezultatin e zgjedhjeve?

Ish diplomatja Alma Lama, thotë për Gazeta Blic se kjo është hipotetike, megjithatë e sheh anomali mbajtjen e zgjedhjeve në fundvit.

“Por ajo që mund të them është se mbajtja e zgjedhjeve gjatë festave të fundvitit është anomali, krejtësisht e panevojshme dhe kalkulim i VV-së”, është shprehur ajo.

Sipas Lamës, është marrëzi që zgjedhjet janë caktuar nga presidentja, pas kërkesës së VV-së, për datën 28 dhjetor.

“Caktimi i datës 28 nga presidentja sipas kërkesës së VV-së është favor politik ndaj VV-së, që anashkalon interesin e qytetarëve, është marrëzi”, ka deklaruar Alma Lama.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se s’duhet pasur shpresat vetëm te vota e diasporës dhe sidomos nuk janë vetëm votë për VV-në.

“Nuk duhet shumë pasur shpresë te diaspora pasi që diaspora dhe vota e tyre nuk janë vetëm pro VV-së. Është një tregues herën e fundit në zgjedhjet parlamentare se nuk kishte dalë projeksioni i VV-së”, është shprehur ai.

Ai përmend udhëtimin e qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, teksa dhe thotë se vota e diasporës shpërndahen, e shumë mund të mos votojnë fare.

“Vota e diasporës shpërndahet në të gjitha subjektet politike, disa dhjetëra mijëra mund të dalin të pavlefshme, ose një numër ka gjasa mos të dalin fare të votojnë pakënaqësia po rritet gjithnjë e më shumë. Ose edhe qytetarë të Kosovës ka të ngjarë që për festa të shkojnë jashtë vendi”, ka deklaruar Blerim Burjani./Gazeta Blic/