Ish-presidenti Hashim Thaçi është ankuar për mbajtjen e seancës gjyqësore nga Dhomat e Speciliauzara në Hagë, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Thaçi ka thënë se mbajtja e seancës gjyqësore në ditë feste është befasi për të keq për çdo shqiptar.
“Është në interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatës, pasi që si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi traditat e vlerat shtetërore. Caktimi i kësaj seanca pikërisht sot më 28 nëntor do të duhej të evitohej. Mbajtja e kësaj seance sot, për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë. I nderuar gjyqtar, çdo shqiptar sot ka festë kombëtare, shtetërore e familjare, sepse është festa e dinjitet dhe krenarisë kombëtare ku si çdo popull i lirë në botë feston dhe kujton”, tha Thaçi në fjalën e tij.
Ish-kryeministri i Kosovës në fund të fjalës së tij uroi të gjithë shqiptarët për festën e flamurit, teksa tha se beson që në vitin tjetër do të festojnë të gjithë së bashku.
“Sot çdo familje shqiptare dhe institucion i Kosovës edhe kujton e edhe feston. Mua nuk më mbetet tjetër vetëm të uroj të gjithë shqiptarët që të festojnë të bashkuar, krenar dhe me dinjitet. Besoj se në 28 nëntorin tjetër do të festojmë bashkërisht”, përfundoi Thaçi.
Përkundër se institucionet e Kosovës kanë ditë pushimi, Dhomat e Specializuara në Hagë mbajtën të premten seancën gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve, të akuzuar nga Prokuroria për pengim të drejtësisë.


