Sonte, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja e Ligës së Konferencës ndërmjet Dritës dhe Shkëndijës së Tetovës.
Kjo ndeshje, e cila pritet të sjellë mbrëmje madhështore futbolli, do të transmetohet në RTK, duke filluar nga ora 21:00.
Atmosfera në ‘Fadil Vokrri’ premton të jetë e jashtëzakonshme, me “Intelektualët” e Dritës dhe “Ballistët” e Shkëndijës, që kanë paralajmëruar spektakël me koreografi, këngë dhe ngjyra kuqezi, një ditë para festës kombëtare të 28 Nëntorit.
Por ndërsa në tribuna pritet festë shqiptare, në fushë do të zhvillohet një betejë e vërtetë sportive. Të dyja skuadrat janë në garë të fortë për t’i siguruar pozitat që çojnë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës, andaj çdo pikë ka peshë të madhe.


