Lajme

Haradinaj prezanton kandidatin e radhës për deputet: Mumin, Kosova ka nevojë për ty

11/26/2025 14:53
nga:Sh R

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka prezantuar Mumin Morinën si kandidat të kësaj partie për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai e ka lavdëruar Morinë për aftësitë profesionale, duke thënë se qeveria e AAK-së do ta zgjidh problemin me ujë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se AAK-ja do ta zgjidhim një herë e përgjithmonë edhe trajtimin e ujërave të zeza.

“Kur hapim çeshmën dhe kemi ujë, kemi shpresë. Sepse uji është jetë, është siguri për familjet tona. Kur e dimë se furnizimi me ujë të pijshëm është i garantuar edhe për gjeneratat pas nesh, atëherë vendi ynë ecën përpara. Mumin Morina ndër vite ka punuar për ta siguruar ujin e pijshëm për vendin, përmes projektimit, zhvillimit dhe menaxhimit të projekteve të infrastrukturës hidroteknike. Përvoja e tij profesionale, veçanërisht si Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe si Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan, dëshmon aftësitë e tij të jashtëzakonshme menaxheriale dhe teknike”, ka shkruar ai, duke i uruar suksese Morinës,

“Në Qeverinë e Aleancës, furnizimi me ujë për qytetarët e Kosovës, sipërmarrësit dhe bujqit do të zgjidhet përfundimisht. Ashtu siç do ta zgjidhim një herë e përgjithmonë edhe trajtimin e ujërave të zeza, duke e ngritur Kosovën në standard të zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo do të realizohet përmes ndërtimit të shtatë digave të reja dhe ngritjes së impianteve të reja të trajtimit të ujërave në komunat më të vogla. Mumin, Kosova ka nevojë për ty! Të uroj fat në garën për deputet”, ka shkruar ai.