Lajme

Pamje të autobusëve duke “pauzuar” pasi transporti publik u ndërpre nga sot në kryeqytet

11/24/2025 15:36
nga:N K

Banorët e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, janë detyruar që të hënën të bëjnë zgjidhje alternative në mungesë të transportit publik, shkruan REL.

Qeveria në detyrë dhe zyrtarët komunalë vazhdojnë të mos i kursejnë që disa muaj akuzat ndaj njëri-tjetrit për situatën e komplikuar me financat në komunë. Por, një gjë dihet: Komuna e Prishtinës e ka miratuar me vonesë buxhetin për vitin 2025, dhe rrjedhimisht Ministria e Financave e ka hartuar një version të buxhetit për të. Pjesa tjetër është histori…

Autobusët e vetëm që janë parë në kryeqytet ishin ata të linjave që çojnë në Fushë Kosovë ose Obiliq, komuna ngjitur me Prishtinën.

Rëndom linjat e transportit publik shfrytëzohen nga studentët, nxënësit, pensionistët dhe banorë tjerë të Prishtinës. Për pensionistët, transporti është falas.
Banorët që kanë qenë duke pritur nëpër stacione, ose i kanë pritur linjat e këtyre dy komunave, ose kanë pushuar derisa kanë bërë ndonjë zgjidhje alternative.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka marrë pjesë në protestën para objektit të Qeverisë së Kosovës më 24 nëntor, bashkë me operatorët privatë të transportit publik, duke e akuzuar ekzekutivin për “fonde të mangëta”, të cilat, sipas tij nuk kanë mjaftuar për t’i obligimet ndaj operatorëve.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur një ditë më parë se Zyra e Thesarit të Shtetit qysh të premten e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, për t’i paguar disa shërbime esenciale, siç është energjia elektrike.

“Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se ‘i kryejmë të hënën’”, ka bërë të ditur Murati përmes një postimi në Facebook.
Kuvendi i Kosovës e pati edhe një mundësi të fundit për t’i votuar katër projektligje të rëndësishme për vendin javën e kaluar, para se ky institucion të shpërbëhej dhe të caktohej data për zgjedhje të reja.

Në mesin e katër projektligjeve, ishte edhe ai për miratimin e buxhetit për tri komuna të Kosovës: Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun. Pavarësisht thirrjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që tani udhëheq me Qeverinë në detyrë, partitë tjera nuk patën gatishmëri për t’i miratuar këto dokumente.