Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka përkujtuar babain e tij, Xhemajl Mustafën, në 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Në një postim emocionues në Fcebook, Mustafa ka shprehur mungesën e thellë për babain dhe ka ndarë kujtime të paharrueshme nga koha që kaluan bashkë.
“25 vjet pa ty, babë, dhe prapë ka ditë kur më duket se kur kthehem në banesë do të të gjej duke shkruar në dhomën tënde plot tym duhani,” ka shkruar Mustafa, duke theksuar boshllëkun që ndien nga mungesa e babait.
Ai ka kujtuar momentet e vështira të vitit 1999, kur Kosova kalonte nëpër periudhën e bombardimeve.
“Qëndruam në Prishtinë, nën zhurmat e sirenave dhe shpërthimeve, ndërsa në dhomë mbretëronte ajo qetësia jote e çuditshme, që vetëm ti e kishe,” ka thënë ai, duke treguar sesi babai i tij e mbante të qetë gjatë periudhës së pasigurisë.
Mustafa gjithashtu ka rikujtuar një bisedë të fundit me babain, gjatë së cilës Xhemajl Mustafa e siguroi djalin e tij se Kosova do të ishte e lirë, duke i dhënë atij një ndjenjë besimi dhe shprese që e mbajti gjatë gjithë jetës.
“Kosova do të jetë e lirë,” kishte thënë ai, duke i lënë Besianit një mësim të paharrueshëm për besimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.
Në postimin e tij, Besian Mustafa ka theksuar se ajo që i mungon më shumë nuk është vetëm babai i tij, por gjithashtu “njeriu që më shpjegonte botën me durim, që më shihte thellë në sy kur flisja, që më mësonte ta dua këtë vend pa zhurmë, pa urrejtje, me dinjitet.”
Duke përfunduar postimin, ai ka shprehur se do të mbajë gjithmonë brenda vetes mësimet dhe fjalët e babait të tij.
“Do të shihemi përsëri,” ka përfunduar Mustafa, duke nënvizuar dashurinë e tij të thellë për njeriun që i dha shumë mësime të jetës.


