Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mësuar kundërshtarët për “Play Offin” e Botërorit që zhvillohet në muajin mars.
Kosova do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale, teksa Shqipëria me Poloninë, shkruan GazetaBlic Sport.
Nëse Kosova fiton ndaj Sllovakisë në Bratislavë, në finale për kualifikimin në Botëror përballet me fituesin e duelit Rumani-Turqi në Prishtinë.
Nëse Shqipëria fiton ndaj Polonisë, në finale për kualifikimin në Botëror përballet me fituesin e duelit Ukrainë – Suedi.
Ish lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata, e ka komentuar shortin e ditës së sotme në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’.
Vata tha se duhet që të ketë guxim dhe angazhim maksimal nga dy ekipet tona përfaqësuese, gjithashtu të luftohet si kurrë më parë.
“Shanset janë të barabarta dhe me gjasa reale për të kaluar tutje. Megjithatë, për të kaluar në gjysmëfinale, të dy ekipet tona përfaqësuese, si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, duhet të ‘luftojnë’ si kurrë më parë. Fati është me guximtarët, skuadrat nuk kanë shumë diferenca mes vete, përgatitja e ndeshjes do ta bëjë diferencën”, përfundoi Vata.

/GazetaBlic Sport/


