Glauk Konjufca ka dështuar të zgjidhet kryeministër i Kosovës meqë nuk mori 61 votat e nevojshme në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje hyri në seancë pa një marrëveshje paraprake dhe sikurse mandatari i partë, Albin Kurti, edhe Konjufca nuk mori mbështetje.
Për votuan 56, kundër 53 dhe katër abstenime.
Pas këtij dështimi zgjedhjet pritet të jenë të pashmangshme. Tani i mbetet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të vendosë për hapat e mëtejmë. Dhjetori është përmendur si muaj i mundshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar analisti politik Avni Arifi, ku thotë se sipas Kushtetutës zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
“Kushtetuta e Kosovës e thotë se nëse mandatari i dytë dështon zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve”, tha ai.
Ndër të tjera Arifi, thekson se pas zgjedhjeve do të ketë një rezultat tjetër ku do të mundësohej krijimi i institucioneve.
Sipas tij humbjet e 5 viteve të kaluara, Kosova edhe 10 vite tjera nuk mundet t’i kompensoj.
“Besoj në tjeter rezultat që do të mundësoj qeveri dhe krijim të institucioneve. Humbjet e 5 viteve të kaluara Kosova edhe 10 vite tjera s’mundet të i kompensoj”, vlerësoi ai për GazetaBlic.


