Lajme

Dragusha: Do të kualifikohemi në Kampionatin Botëror, jemi me fat që përfaqësohemi nga Kosova

11/22/2025 16:58
nga:Mergim Rreci

Ish futbollisti që ka veshur fanellën e Kosovës dhe tashmë trajneri Muhamet Dragusha, ka komentuar kampanjën kualifikuese për Kupën e Botës të ‘Dardanëve’.

Ai u deklarua i bindur se pas ‘Play-off’-it, do të vie edhe kualifikimi në Kupën e Botës, sepse kemi lojtarë që e duan fanellën dhe nuk kanë ego personale.

“Mendoj që çdo sukses që arrihet për herë të parë është histori, kurse historia e madhe është kualifikimi në Botëror që edhe atë do ta arrijmë, me këtë staf dhe presidencë, kur krejt këto gërshetohen, suksesi nuk mungon, kemi lojtarë që e duan fanellën, nuk kanë ego, këto elemente e bien suksesin”, deklaroi fillimisht ai.

Tutje, për dokumentarin ‘Expose‘, prodhim i GazetaBlic, Dragusha shtoi se ardhja e lojtarëve të ri dhe dora e trajnerit Foda, janë dy faktorët që kanë sjellur sukses tek Kosova.

“Dy elemente: Kryetari që ka sjell lojtarë të ri dhe trajneri. Ka sjellë diciplinë, ka përgjegjësi në lojë, ka taktikë, falë trajnerit, kurse lojtarët e ri, i kanë dhënë konkurrencë ekipit, secili e di që ka konkurrencë dhe të gjithë e japin maksimumin, andaj suksesi nuk mungon”, shtoi tutje Dragusha.

Krejt në fund, Dragusha shtoi se jemi një vend që e duam shumë futbollin dhe jetojmë me të, poashtu jemi me fat që e kemi Kosovën si përfaqësuese tonë, të cilen po e pëkrahim në maksimum.

“Kjo tregon se shqiptarët në përgjithësi, sidomos ne kosovarët e duam shumë futbollin, një analist i Shqipërisë që tha se Kosova e ka ndryshu mentalitetin e tifozëve shqiptarë, pra na jemi ata që po bëjmë gjëra të mëdha, jetojmë me futbollin, kemi fat që e kemi Kosovën dhe po e përkrahim në maksimum. ‘Dardanët’ janë të jashtëzakonshëm, po e shohim përkrahjen e tyre, sidomos si mysafir. Jemi shembull në të gjitha aspektet”, përfundoi Dragusha për ‘Expose’.

/GazetaBlic Sport/