Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë thirrje urgjente partive politike në Kuvend që para seancës së sotme të votojnë themelimin e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, me qëllim zhbllokimin e buxhetit të transmetuesit publik, raporton GazetaBlic.
Sindikata paralajmëron se RTK rrezikon ndërprerjen e funksionimit për shkak të mungesës së buxhetit, duke vënë në pasiguri qindra familje të punëtorëve.
SPERTK thekson se mosmiratimi i komisionit nuk është një çështje thjesht procedurale, por një bllokadë që dëmton drejtpërdrejt punëtorët dhe institucionin publik të informimit.
Sindikata kërkon nga partitë politike që të veprojnë menjëherë dhe të zhbllokojnë buxhetin, duke e cilësuar këtë si një detyrë institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.


