Lajme

S’ka kërkesë për seancë, Jakaj i IKD-së: Mandatari ka dështuar të kërkojë besimin e deputetëve

11/18/2025 12:30
nga:Genita C

Naim Jakaj nga IKD ka paralajmëruar se afati për votimin e Qeverisë skadon nesër në mesnatë/

Ai për GazetaBlic tha se, nëse seanca për votim nuk thirret nga mandatari sipas Kushtetutës, atëherë e drejta e formimit të Qeverisë për VV-në dhe mandatari konsumohet, dhe procedura kalon automatikisht drejt shpalljes së zgjedhjeve të reja, të cilat Presidentja duhet t’i caktojë brenda 40 ditëve.

“Afati për votimin e Qeverisë skadon nesër në mesnatë. Nëse nesër nuk thirret seanca, e cila, sipas Kushtetutës, duhet thirrur nga mandatari, atëherë mandatari ka dështuar të kërkojë besimin e deputetëve. Me këtë, konsumohet e drejta e tij dhe e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë. Si pasojë, procedura kalon automatikisht drejt shpalljes së zgjedhjeve të reja. të cilat duhet t’i bëjë Presidentja, e këto zgjedhje duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga data kur caktohen ato”, thotë Jakaj.

Jakaj e ka quajtur këtë situatë të pazakontë, duke vënë në dukje se zakonisht seanca për formimin e qeverisë thirret menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, siç ndodhi me Qeverinë Kurti 2 në mars 2021.

Sipas tij, vonesa duket se lidhet me mungesën e numrave për votimin e Qeverisë Konjufca, pasi nuk janë formuar koalicione të reja, partitë opozitare nuk kanë shprehur gatishmëri për mbështetje dhe deputetët individualë nuk kanë dhënë ndonjë sinjal ndryshimi.

“Është me të vërtetë e pazakontë dhe e çuditshme që seanca për votimin e qeverisë nuk është thirrë në një afat më të hershëm, sidomos në një situatë kur shteti ndodhet pa ekzekutiv funksional. Zakonisht, në të gjitha legjislaturat e kaluara, seanca për formimin e qeverisë është thirrur menjëherë pas konstituimit të Kuvendit. Kështu ka ndodhur edhe në mars të vitit 2021 me Qeverinë Kurti 2, ku votimi është mbajtur të njëjtën ditë me konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, vonesa duket se është pasojë e mungesës së numrave për ta votuar Qeverinë Konjufca”, tha Jakaj.

“Koalicione të reja nuk janë formuar, partitë opozitare nuk kanë shprehur gatishmëri për mbështetje, dhe as deputetë individualë nuk kanë paralajmëruar ndonjë qëndrim ndryshe”.

Ai shtoi se çdo zhvillim i fundit që mund të ndryshojë situatën nuk është bërë i ditur publikisht.

“Nëse ndodh nesër e kundërta, atëherë janë veprime të cilat janë bërë në moment të fundit, që në publik nuk janë bërë të ditur”, përfundon Jakaj për GazetaBlic.

Analisti politik: Vetëm ndonjë mrekulli mund ta sjellë formimin e qeverisë së re