Lajme

Nis procesi i numërimit të votave me postë – pakot nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia ende nuk kanë arritur në vend

11/15/2025 11:33
nga:Sh R

Ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë në 18 komuna, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Gjatë ditës së premte u përfundua vlerësimi i 12,018 pakove me fletëvotime që kanë mbërritur deri tani në Kosovë.

Sipas KQZ-së, për shkak të distancës, 519 pako të tjera nga SHBA, Kanadaja dhe Australia ende nuk kanë arritur në vend, dhe vlerësimi e numërimi i tyre do të bëhet sapo të mbërrijnë.

Nga 12,018 pakot e vlerësuara deri tani, janë miratuar 8,932 ndërsa 3,086 janë refuzuar.

Shkaku kryesor i refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit në 3,009 raste, një dokument unik i cili duhet të dorëzohet nga çdo votues i regjistruar, njoftoi Komisioni.

Më 11 dhe 12 nëntor, KQZ ka tërhequr nga kutitë postare në 22 shtete të botës gjithsej 13,084 pako me fletëvotime.

Numri i votuesve të regjistruar që kanë të drejtë të votojnë përmes postës për këto 18 komuna është 29,752. /Telegrafi/