Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bëri të ditur se të hënën, më 17 nëntor, do të mbahet Konventa e këtij subjekti politik për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj partie, raporton GazetaBlic.
E deputeti Enver Hoxhaj, sot përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Lidhur me këtë temë, në një prononcim për GazetaBlic, Halil Matoshi tha se Enver Hoxhaj, sikur tash, por edhe në kohën kur Memli Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i kësaj partie, shfaqte interesim për kandidim, mirëpo nuk shprehte guxim dhe vizion.
“Enver Hoxhaj sikur tashti edhe kur ishte zgjedhur Memli Krasniqi kryetar i PDK-së shfaqte intersim për kandidim por jo edhe guxim e vizion!?”, tha ai.
Sipas Matoshit, Hoxhaj nuk duhet të kërkojë kohë shtesë, por ta shpallë kandidaturën e tij dhe ta sfidojë secilin kandidat potencial brenda partisë.
“Zoti Hoxhaj nuk duhet të kërkojë kohë shtesë por duhet të shpallë kandidaturën dhe ta sfidojë secilin kandidat potencial, me program të qartë për ngritjen e partisë në forcë fituese”, përfundoi Matoshi, për GazetaBlic.


