Milazim Krasniqi, babai i ish-kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, komentoi dorëheqjen e djalit të tij nga drejtimi i partisë.
“Dorëheqja e Memlit si kryetar i PDK-së ka qenë lehtësuese për familjen. Ne shpresojmë që tashmë ai do të ketë më shumë kohë për familjen, për fëmijët. Në këtë aspekt, ne jemi të lumtur”, tha Milazim Krasniqi.
Ai shtoi se Memli Krasniqi ka qenë gjithmonë pasionant i politikës dhe gjatë drejtimit të PDK-së ka arritur të rrisë ndikimin e partisë dhe numrin e deputetëve.
“Kur mori drejtimin e partisë, PDK-ja ka qenë në situatë të rënduar. Këto vite, Memli e ka rritur shumë partinë, ka rritur deputetët për partinë”, tha babai i tij.
Milazim Krasniqi tregoi edhe bisedën e fundit me djalin e tij para dorëheqjes. “Memli nuk ka ambicie për pozitën e kryeministrit dhe se unë si baba do dëshiroja të merrej me karrierë akademike. Ideja themelore e tij është të bashkojë pozitën e liderit të partisë me atë të kandidatit për kryeministër, por vetë nuk ka qenë i interesuar për këtë detyrë”.
Analisti përmendi edhe sfidat e Memlit në skenën politike.
“Çdo parti ka nevojë për qarkullimin e kuadrove. Memli ka studiuar shkenca politike në London School. E ka shumë pasion politikën, do vijojë besoj në PDK, nuk besoj se do të dalë nga politika. Unë do doja që ai të vijonte karrierën akademike. Ai është djalë i përgjegjshëm dhe besoj se do të bëjë gjëra të mira”.
Milazim Krasniqi komentoi edhe Vetëvendosjen dhe liderin e saj, Albin Kurti.
“Albin Kurti është lider i propagandës së shfrenuar dhe i dhunës politike. Vetëvendosje erdhi me dhunë në pushtet. Unë kam qenë objekt i dhunës së tyre, kanë dashur të sulmojnë, kur jepja mësim në universitet. Kanë dashur të na djegin makinën familjare. Lëvizja Vetëvendosje nuk përton asnjëherë që të kthehet tek metodat e dhunshme”.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së dha sot më 12 nëntor dorëheqjen nga drejtimi i partisë.


