Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar edhe sot me përkushtim të madh përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.
Seanca e radhës stërvitore është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në ambient pozitiv dhe me intensitet të lartë, teksa përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar.
Në këtë stërvitje, Dardanët janë përqendruar kryesisht në aspektin taktik dhe në zbatimin e filozofisë së lojës që përzgjedhësi Foda synon ta aplikojë në ndeshjen e parë të këtij muaji, atë kundër Sllovenisë. Loja me presion të lartë, qarkullimi i shpejtë i topit dhe koordinimi në fazën mbrojtëse kanë qenë disa nga elementet që janë punuar me kujdes nga stafi teknik.
Pas stërvitjes janë deklaruar mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Meriton Korenica, të cilët kanë shprehur optimizëm për paraqitjen e ekipit në këto dy ndeshje.
“Atmosfera është shumë e mirë. Ne jemi gati. Stërvitja është shumë intensive dhe kualiteti shumë i mirë dhe deri tash gjithçka ka shkuar mirë. Ne do të përgatisim lojën kundër Sllovenisë për të marrë maksimumin, 3 pikët. Nuk është e lehtë të analizohet kundërshtari, sepse ndeshjen e parë e kemi luajtur këtu në ‘Fadil Vokrri’, kurse tani luajmë në Lubjanë. E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por trajneri është duke na përgatitur shumë mirë që në ditën e lojës ta japim maksimumin”, tha Hajdari.


