Lajme

Aksident në Dobërdelan të Suharekës: Vdes shoferi i automjetit, gruaja pëson lëndime të rënda

11/12/2025 13:00
nga:Sh R

Një aksident trafiku ka ndodhur sot në fshatin Dobërdelan, në magjistralen Suharekë- Rahovec, ku ka vdekur një person dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda, raporton GazetaBlic.

Lajmin për GazetaBlic, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ku tha se menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse .

“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse, të cilat kanë siguruar perimetrin, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ndodhja e aksidentit. Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, tha ai.