Për B.S. nga Shtimja, vitet e studimit nuk i hynë asnjëherë në punë.
Me diplomë masteri në gjuhë gjermane në dorë, B.S. priste që t’i hapeshin dyert në arsim.
Por ajo u përball me një padrejtësi që siç thotë, nuk e kishte menduar kurrë se do ta përjetonte.
Nga ëndrra për mësimdhënie, tani ajo jeton një realitet që nuk po mund ta kapërcejë.
B.S. ka dy vite që tenton të zë vend në ndonjë shkollë të Komunës së Shtimes si mësimdhënëse e gjuhës gjermane.
E reja thotë se në konkursin e fundit, të mbajtur në gusht të këtij viti, nuk iu lejua fare të ishte pjesë e testit.
Ajo rrëfen se vitin e kaluar i ishte nënshtruar testit, por dikush, sipas saj bëri dallavere me pikët e testimit.
B.S. pretendon se i gjithë konkursi u rregullua për dikë tjetër, e cila nuk ishte fare e kualifikuar për këtë pozitë.


