Sindikata e Punëtorëve të RTK’së, i është drejtuar me një letër presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, duke i kërkuar asaj që të ndërhyjë urgjentisht lidhur me buxhetin e RTK’së. Në komunikatën e lëshuar, theksohet se tash e disa javë, RTK, ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre.
Nga sindikata, bëhet e ditur se punëtorëve është duke iu bërë presion edhe nga bankat për të paguar këstet e kredive, dhe se, ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, shkruan Gazeta Express.
Në letrën drejtuar Osmanit, sindikata i bën thirrje presidentes, që kjo e fundit, brenda kompetencave kushtetuese dhe politike që ka ajo, të ndërhyjë menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur.
Komunikata:
KRYESIA E SINDIKATËS SË PUNËTORËVE TË RTK-së (SPERTK)
Prishtinë, më 11 nëntor 2025
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës,
Znj. Vjosa Osmani,
Lënda: Kërkesë për ndërhyrje urgjente lidhur me buxhetin e RTK-së
E nderuar Presidente,
Duke u bazuar në deklaratën tuaj të sotme, ku shprehët gatishmërinë që si Presidente të propozonit në Kuvend alokimin e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ju drejtohet me këtë kërkesë për ndërhyrje dhe zgjidhje urgjente të kësaj situate tejet të rënduar.
RTK tash e disa javë ndodhet në kolaps financiar, ndërsa punëtorët nuk kanë marrë pagat e tyre. Kjo gjendje po reflekton rëndë në jetën e qindra familjeve që varen nga ky institucion publik. Ndër ta, ka punonjës që nuk kanë mundësi të blejnë barnat e nevojshme, që përballen me vështirësi për ushqim, qira e pagesa bazike, dhe që tashmë ndihen të harruar nga institucionet e vendit.
Gjendja është bërë edhe më e rëndë pasi bankat kanë filluar presione ndaj punëtorëve për pagesën e kësteve të kredive, ndërkohë që ata nuk kanë marrë asnjë të ardhur mujore.
E nderuar Presidente,
Ju lutemi që brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe politike të ndërhyni menjëherë për të ndihmuar në zhbllokimin e buxhetit të RTK-së dhe për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni publik e pavarur, që ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe për demokracinë e vendit.
Ne, si Sindikatë shpresojmë se angazhimi juaj konkret dhe i menjëhershëm, do të shmangë një krizë sociale që po thellohet dita-ditës.


