Lajme

Arrestohet një i mitur në Fushë-Kosovë, dyshohet se vodhi motoçikleta

11/11/2025 09:12
nga:N K

Në rrugën “Idriz Breznica” në Fushë-Kosovë, policia ka sekuestruar dy motoçikleta të dyshuara si të vjedhura dhe ka arrestuar një të mitur.

Rasti është raportuar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:05.

Sipas policisë, njësitet kanë dalë në terren pas informacionit se një person i mitur ishte duke drejtuar një motoçikletë të dyshuar për vjedhje.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur edhe një motoçikletë tjetër, skuter me targa vendore, për të cilën po ashtu dyshohet se është e vjedhur.

Të dyja motoçikletat janë sekuestruar dhe janë dërguar në stacion policor, pasi deri tani nuk është paraqitur ndonjë ankues për to.

Gjatë kontrollit në vendngjarje, policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe dy thika.

I dyshuari, mashkull kosovar i mitur, është arrestuar dhe pas intervistimit në prezencë të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.