Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj,lidhur me rezultatet nga balotazhi i djeshëm u shpreh se PDK, LDK, dhe AAK ruajtën stabilitetin e tyre në elektorat ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbetet befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Dreshaj e quajti dështim të manipulimeve të VV-së në nivel vendi marrjen e vetëm shtatë komunave, pavarësisht angazhimit të tërë aparatit shtetëror dhe fondeve të shpërndara nga Qeveria në detyrë, përbën një zhgënjim të madh për këtë subjekt, raporton GazetaBlic.
“Balotazhi dëshmoi se tri partitë shtetformuese – PDK, LDK dhe AAK – ruajnë stabilitetin e tyre në elektorat. Përkushtimi dhe puna e mirë e bërë nga kryetarët e komunave si Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë e Deçan, si dhe në disa komuna të tjera, u shpërblye me votëbesimin e qytetarëve. Këto subjekte arritën t’i ruajnë komunat që kishin në menaxhim, përkundër përpjekjeve maksimale të pushtetit për shantazhim dhe blerje votash përmes marifetllëqeve të ndryshme. Kjo u reflektua më qartë në Mitrovicën e Jugut dhe në Prishtinë”.
“Befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve mbetet dështimi i manipulimeve të VV-së në nivel vendi. Marrja e vetëm shtatë komunave, pavarësisht angazhimit të tërë aparatit shtetëror dhe fondeve të shpërndara nga qeveria në detyrë, përbën një zhgënjim të madh për këtë subjekt.Në prag të zgjedhjeve qendrore, këto rezultate janë një sinjal serioz për VV-në: qytetarët po kërkojnë qeverisje më të përgjegjshme dhe më pak propagandë. Nëse trendi aktual vazhdon, zgjedhjet e ardhshme mund të jenë edhe më zhgënjyese për LVV-në”.
Tutje Dreshaj potencoi se fushata e udhëhequr nga Arian Tahiri u dallua për organizim të efektshëm politik, edhe pse përballë kishte tërë shtetin të drejtuar nga Albin Kurti.
“Në Mitrovicë, fushata e udhëhequr nga Tahiri i PDK-së u dallua për organizim dhe komunikim të efektshëm politik, përballë një kundërshtari që kishte në dispozicion jo vetëm VV-në, por edhe tërë aparatin shtetëror të drejtuar nga Kurti”.
Dreshaj theksoi se ky balotazh njëkohësisht tregoi se shantazhet, përpjekjet për blerje votash, manipulimet me kategoritë sociale dhe studentët, nuk rezultuan të suksesshme.
“ Qytetarët e kuptuan me kohë këto taktika dhe dhanë një përgjigje të qartë në kutitë e votimit”.
“Zgjedhjet e djeshme u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe demokratike, ndonëse me disa lëshime minore që nuk e dëmtuan procesin në tërësi. Edhe një herë u dëshmua se Kosova ka një sistem demokratik të konsoliduar dhe institucione zgjedhore funksionale”- përfundoi Dreshaj për GazetaBlic.


