Lajme

Gjakovë: 6 vjet burg për të dyshuarin që shtiu me armë, pas debatit për pagesën e kafesë

11/10/2025 17:04
nga:N K

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.P., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili u shpall fajtor për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit të gjykatës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sulltan Dobraj e dënoi të pandehurin me burgim unik prej gjashtë vjetësh.

Ngjarja kishte ndodhur më 11 prill 2025, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë. Sipas aktakuzës, gjatë një zënke në lokalin “B.C.”, pas një debati për pagesën e pijeve, i pandehuri kishte marrë armën e tij tip Zoraki 9×9 mm dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të të dëmtuarve P.N. dhe A.N., duke plagosur rëndë P.N. në këmbë.

Pas ngjarjes, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe kishte qëndruar në arrati për rreth tre javë.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga pranimi i tij me shkrim.