Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i VV-së, ka falënderuar qytetarët për votimin në balotazhin e djeshëm, raporton Gazeta Blic.
“Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu, Kurti ka thënë se VV tani do të qeverisë në shtatë komuna dhe se VV-në nuk e ndali as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra.
Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s,
Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore.
Përzemërsisht,
Albin Kurti


