Sporti

Gjilani merr fitore në Malishevë, Dukagjini triumfon ndaj Ferizajt në minutat shtesë

11/09/2025 15:06
nga:Lorik J

Gjilani ka marrë fitore të madhe në udhëtim te Malisheva duke triumfuar me rezultat 1-2.

Gjilani kaluan shpejtë në epërsi, ku vetëm pas katër minutash lojë shënoi Senad Jarovic nga afërsia pas asistimit nga Enur Totre për 0-1.

Loja e mirë e skuadrës së drejtuar nga Debatik Curri vazhdoi edhe më tej, ku në minutën e 26-të e dyfishuan epërsinë.

Blerind Morina u gjend bukur në zonë dhe realizoi me kokë për 0-2.

Me epërsinë e dyfishtë të Gjilanit u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Në pjesën e dytë Malisheva ishte më kërkuese dhe gjeti golin në fund të ndeshjes.

Mbrojtësi Opeh shënoi në minutën e 90-të për 1-2, por deri në fund Gjilani u mbrojt mirë dhe mori tre pikë.

Me këtë fitore ‘Skifterat’ ngritën në pozitën e tetë në tabelë me 15 pikë, derisa Malisheva është një pozitë më lart me një pikë më shumë.

Ndeshjen e radhës Malisheva e zhvillon në udhëtim te Prishtina, derisa Gjilani pret Ferizajn.

Dukagjini ka marrë fitore të madhe në udhëtim te Ferizaj 0-1.

Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, por që gola nuk solli në 45 minutat e para.

Pjesa e parë u mbyll baras 0-0 me dy skuadrat që kishin disa gjysmëraste shënimi, por pa u tundur rrjetat.

Ferizaj e nisi mirë pjesën e dytë duke shënuar gol me Betim Haxhimusën, por që u anulua nga VAR.

E në minutën e 97-të ishin klinasit që shënuan gol, ku Iljasa Zufiji asistoi bukur te Dardan Morina i cili nga afërsia shënoi për 0-1.

Për klinasit janë tre pikë të arta, që tani ngjiten në pozitën e katërt me 20 pikë, derisa Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 14 pikë.

Ndeshjen e radhës Ferizaj e zhvillon në udhëtim te Gjilani, derisa Dukagjini para adhuruesve të vet pret Drenicën./Telegrafi