Lajme

Deputetët punuan shumë pak këtë vit, por i’a morën rreth 3 milionë euro buxhetit veç për paga!

11/07/2025 09:01
nga:Y I

Kuvendi i Kosovës, gjatë gjithë vitit 2025 është mbledhur vetëm për konstituimin e tij dhe formimin e Qeverisë.

Pas fotografive solemne, betimeve dhe duartrokitjeve ceremoniale sallat e Kuvendit kanë mbetur bosh, ndërsa debati parlamentar ka pushuar bashkë me zërin e shumicës absolute të deputetëve.

Megjithatë, pavarësisht mungesës së aktiviteteve plenare, diskutimeve, ligjeve të reja, deputetët kanë vazhduar të marrin paga e mëditje të majme dhe të rregullta nga Kuvendi.

Statistikat e dërguara për “Front Online” nga Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës tregojnë se deputetët e vendit kanë marrë plot 2,913,392.04 euro paga neto nga janari deri në tetor të këtij viti.

Derisa, 3,689, 107.59 euro është buxheti i ndarë për pagat dhe mëditjet e tyre gjatë vitit 2025.

“Buxheti për paga dhe mëditje të deputetëve për vitin 2025, është 3 689 107,59 euro”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Paga mujore për deputetë ka lëvizur nga rreth 246 mijë euro në mars deri në 345 mijë euro në maj, ndërsa pagesat janë kryer rregullisht në fund të çdo muaji.

Kjo shumë përfshin pagat neto për 10 muaj të këtij viti, ndërkohë që Kuvendi ka funksionuar vetëm për t’u konstituuar dhe votimet për kryetarin e Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës me mbi 1 milion euro shpenzime për paga për stafin politik nga janari në tetor 2025

Mbi 1 milionë euro ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës për paga të stafit mbështetës politik nga janari e deri në tetor.

Gjatë kësaj periudhe Kuvendi ka paguar gjithsej 1,058,307.63 euro për pagat e kësaj kategorie të punonjësve.

Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës i ka bërë të ditura për “Front Online” të dhënat e pagesave për pagat neto të stafit mbështetës politik, për periudhën janar–tetor 2025.

Tabela e siguruar nga “Front Online” tregon pagesat mujore të ekzekutuara nga janari deri në tetor, me shumën më të lartë të paguar në muajin tetor (118,697.94 euro) dhe shumën më të ulët në muajin mars (136,560.24 euro).

Pagesat janë kryer rregullisht në fund të secilit muaj, ndërsa lista i referohet stafit mbështetës politik të Kuvendit të Kosovës.

Buxheti për paga dhe mëditje të deputetëve për vitin 2025, është 3 689 107,59 euro.

Zëri nuk iu dëgjua në Kuvend, por telefonatat s’u ndalën

Edhe pse për muaj të tërë, Kuvendi i Kosovës ka qenë i bllokuar, pa kryetar dhe me seanca të pezulluara nga aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, telefoni në Kuvend nuk ka pushuar së punuari.

Nga janari deri në tetor të këtij viti, institucioni ka shpenzuar gjithsej 18,103.52 euro për shërbime të telefonisë mobile, sipas të dhënave zyrtare të pagesave publike të cilat i ka siguruar FrontOnline.

Të gjitha këto pagesa janë kryer në drejtim të Telekomit të Kosovës SHA, përmes shërbimeve të telefonisë “Vala”, duke dëshmuar se, pavarësisht bllokadave politike, komunikimi me valë nuk është ndalur asnjë ditë.

Sipas të dhënave, shpenzimet janë bërë pothuajse çdo muaj, kryesisht për mbushje të linjave mobile të zyrtarëve të Kuvendit.

Shuma më e lartë është regjistruar më 21 gusht 2025, në vlerë prej 2,219.67 euro, ndërsa më e ulëta më 20 tetor, në vlerë prej 49.06 euro.

Vetëm në dy muajt e parë të vitit, kur Kuvendi ishte në krizë konstituimi, janë shpenzuar mbi 6,800 euro për mbushje telefonike. Më pas, pagesat kanë vazhduar rregullisht, sikur gjithçka të funksiononte normalisht në institucionin që s’po punonte.

Disa nga pagesat madje janë përsëritur me të njëjtën shumë. 2,159.68 euro janë shpenzuar në muajt gusht, shtator dhe tetor. Në një periudhë kur vendi përballej me bllokada institucionale dhe qytetarët prisnin zgjidhje politike, Kuvendi vazhdoi të shpenzojë qindra euro çdo muaj për mbushje të telefonave, duke dëshmuar se, të paktën në komunikim, aktiviteti nuk është ndalur.

Në total, Telekomi i Kosovës SHA ka përfituar 18,103.52 euro nga Kuvendi gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, duke ruajtur rolin e tij si ofruesi kryesor i “zërit” të një institucioni që shpesh ka qenë më shumë në heshtje sesa në punë.

Kuvendi me mbi 21 mijë euro shpenzime në karburante, aktiviteti parlamentar minimal

Pavarësisht mungesës së dukshme të dinamikës parlamentare këtë vit, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar të konsumojë karburant me ritëm zyrtar.

Sipas të dhënave nga Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, vetëm për periudhën janar–tetor 2025 janë paguar gjithsej 21,491.9 euro për derivate të veturave zyrtare.

Ndërsa sallat e Kuvendit kanë qenë shpesh të heshtura dhe seancat të pakta që kanë zgjatur gjysmë ore, automjetet duket se nuk kanë pushuar.

Kuvendi i bllokuar, por me oreks të shtuar/ U shpenzuan mbi 30 mijë euro për dreka zyrtare

Edhe pse për muaj të tërë Kuvendi i Kosovës ka qenë i bllokuar, pa kryetar funksional dhe me seanca të pezulluara nga Gjykata Kushtetuese, shpenzimet për dreka zyrtare dhe shërbime bufesh nuk janë ndalur asnjëherë.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara për pagesat gjatë vitit 2025, Kuvendi ka shpenzuar gjithsej 30,784.20 euro për ushqim, dreka e pritje zyrtare, ndërkohë që institucionin e ka karakterizuar mosfunksionaliteti dhe kriza e përhershme politike.

Vetëm për muajin shkurt 2025, gjatë vizitës së kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe mbledhjes së përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës, janë shpenzuar mbi 22 mijë euro në disa transaksione ndaj bizneseve private të gastronomisë, përfshirë MERO Group SHPK, Revo Hospitality Group SHPK dhe Soma SHPK.

Në muajt, kur Kuvendi pothuajse nuk ka mbajtur asnjë seancë të plotë plenare për shkak të bllokadës politike dhe pezullimeve kushtetuese, pagesat për “shërbime bufesh” kanë vazhduar rregullisht.

Vetëm biznesi Hidajet Azemi BI ka përfituar disa herë nga buxheti i Kuvendit me shuma që arrijnë nga 999.90 deri në mbi 2,000 euro për ngjarje të vetme.

Ndërsa qytetarët dhe mediat raportonin për Kuvend të paralizuar dhe deputetë që nuk arrinin të zgjedhin kryesinë, shpenzimet për ushqim dhe mikpritje zyrtare vazhdonin pa pengesë, sikur funksionimi i vetëm i këtij institucioni të ishte ai gastronomik.

Në total, gjatë periudhës janar–tetor 2025, Kuvendi i Kosovës ka paguar mbi 30 mijë euro për dreka, pritje dhe bufetë, duke dëshmuar se edhe në kohë bllokadash politike, oreksi institucional mbetet në formë të plotë.

Mbi 16 mijë euro i kushtuan buxhetit të shtetit servisimi i veturave të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës mund të ketë qenë i bllokuar për muaj të tërë në aspektin politik, por jo edhe në shpenzime. Edhe pse pa seanca, pa vendime e pa funksionalitet të plotë, mirëmbajtja e veturave zyrtare ka vazhduar me ritëm të rregullt dhe me fatura të majme.

Sipas të dhënave zyrtare financiare, vetëm nga shkurti deri në korrik të vitit 2025, Kuvendi ka shpenzuar 16 mijë e 80 euro për “mirëmbajtje dhe riparim të automjeteve”.

Në listë figurojnë katër përfitues, ndër ta kompani të njohura që prej vitesh marrin kontrata për riparime të veturave institucionale.

Pjesën më të madhe të shumës e ka përfituar “Albert Leku BI”, me disa pagesa të përsëritura që variojnë nga 55 deri në gati 3 mijë euro, ndërsa kompania “LTG Kosova L.L.C.” ka arkëtuar mbi 4,800 euro. Një tjetër pagesë, prej 950 euro, i është bërë operatorit “Ardian Zakuti BI”, gjithashtu për riparime.

Në total, vetëm gjatë gjashtë muajve janë realizuar 14 pagesa të ndara, për të njëjtën kategori shpenzimi, mirëmbajtjen e automjeteve.

Ironikisht, kjo ndodh në një periudhë kur Kuvendi nuk ka miratuar ligje, nuk ka zhvilluar debat parlamentar e as mbikëqyrje efektive të ekzekutivit, por ka ruajtur ritmin e shpenzimeve sikur çdo gjë të ishte normale.

Në mungesë të funksionalitetit politik, duket se funksionaliteti financiar ka mbetur i pandalshëm.

Ndërsa qytetarët presin kthimin e normalitetit institucional, veturat e Kuvendit po mirëmbahen si për udhëtime të përditshme, një luksi i heshtur, që tregon se kur ndalet puna, shpenzimet në Kosovë vazhdojnë të ecin me motor të plotë.