Jose Mourinho nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas humbjes 1-0 në shtëpi kundër Bayer Leverkusen në javën e katërt të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Pavarësisht një dominimi të jashtëzakonshëm dhe 21 gjuajtjeve në portë, Benfica mbetet pa pikë dhe po përballet me një fushatë më të vështirë evropiane.
“Më dhemb zemra,” tha Mourinho për Sport TV, “sepse krijuam shumë, luajtëm mirë, por nuk mundëm ta përfundonim lojën. Goli që pësuam ishte një gabim i Dahl, por djaloshi kishte luajtur një ndeshje të të shkëlqyer”.
“Rezultati është zhgënjyes, por jam shumë i kënaqur me cilësinë e lojës. Djemtë ekzekutuan gjithçka që kishim përgatitur gjatë javës në mënyrë perfekte. Nëse e përsërisim këtë ndeshje dhjetë herë, do ta fitojmë nëntë herë.”
Pavarësisht renditjes së dobët, Special One nuk po dorëzohet: “Jemi 12 pikë larg, nuk na duhen 12 për të avancuar, ndoshta 9 ose 10. Është e vështirë, por nëse marrim 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme, jemi ende në garë. Humbëm sot, por luajtëm një ndeshje të shkëlqyer”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


