Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.Atje është gjetur pa shenja jete trupi i një 25-vjeçareje nga Kosova.
Raportohet se ajo ka qenë studente në Tetovë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, derisa organet e rendit po hetojnë rrethanat nëse ka persona të tjerë të përfshirë, raportoi AlsatM.
Trupi i pajetë është gjetur nga kalimtarë të rastit, pas tregut të gjelbër në Tetovë.Dyshohet se ajo kishte rënë nga një objekt në ndërtim e sipër, derisa në vendin e ngjarjes thuhet se janë gjetur edhe barna, siç raportoi Alsat-M.
Dyshimet e para janë për vrasje, por nuk përjashtohen as pistat e tjera.Organet e rendit janë në kërkim edhe të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast.Rastin e ka konfirmuar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, e cila përmes një postimi në Facebook, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është njoftuar para pak orësh nga Policia Rajonale e Tetovës se sot, rreth orës 18:00, në një lagje të këtij qyteti është gjetur pa shenja jete një shtetase e Republikës së Kosovës. Ambasada ka vendosur menjëherë kontakt me autoritetet relevante policore dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e rastit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Detaje të tjera nuk janë bërë të ditura ende.


