Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përmendur sot Rexhep Selimin e ish krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë, teksa ka thënë se ata po mbahen atje padrejtësisht.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se 3 vite më parë, në shtator të vitit 2022, i kishte dërguar letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, për lirimin e ish krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.
Por, Kurti e bëri publike këtë pikërisht tani, e sipas tij, kjo për një arsye të vetme.
“Sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”.
“E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, shkroi Kurti në Facebook.
Lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se publikimi i letrës tani është veprim elektoral i Kurtit, në prag të balotazhit e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Publikimi i kësaj letre tre vjet pas dërgimit të supozuar nuk është gjë tjetër veçse një veprim tipik elektoral i Albin Kurtit. Ai po përpiqet të shfrytëzojë ndjenjat e qytetarëve dhe sakrificën e ish krerëve të UÇK-së për përfitime politike në prag të balotazhit për komuna dhe në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka thënë ajo.
Sipas Musliut, Kurti nëse ka pasur qëllim të ndihmojë, letrën është dashur ta publikonte kur kishte peshë e ndikim.
“Nëse vërtet kishte qëllim e vullnet për të ndihmuar, këtë duhej ta bënte në kohën kur kishte peshë dhe ndikim, jo tani kur është në rënie politike”.
Deputetja ka vlerësuar se letra tani është më shumë përpjekje që ta rikthejë veten në qendër, përmes emrave të UÇK-së të cilët edhe prapa grilave po shkëlqejnë.
“Kjo letër e “kujtuar” pas tre vitesh është më shumë një akt propagandistik se sa përgjegjësi politike, është një përpjekje e dëshpëruar për ta rikthyer veten në qendër të vëmendjes përmes emrave të UÇK-së të cilët edhe prapa grilave po shkëlqejnë, e të cilët Albin Kurti i ka neglizhuar e përbaltur sa herë i ka konvenuar”, ka potencuar ajo për Gazeta Blic.
Musliu thekson se Kurti duhet të tregojë para qytetarëve se pse për tërë këto vite në pushtet s’ka bërë asgjë që ta mbrojë luftën e UÇK-së.
“Në vend që të fshihet pas letrave të vonuara, Kurti duhet t’u tregojë qytetarëve pse për tri vjet në pushtet nuk ka bërë asgjë konkrete për mbrojtjen e drejtë të luftës së UÇK-së, pse nuk ka mbështetur familjet e çlirimtarëve”, është shprehur ajo.
Sipas deputetes, letra e Kurtit është letër për fushatë dhe jo drejtësi.
“Letra e publikuar nga Albini është: jo letër për drejtësi, por letër për fushatë. Kjo e vërteton se Albinit i janë shteruar kauzat e rreme patriotike”, ka përfunduar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu./Gazeta Blic/
Haradinaj: Letra e Kurtit për Trendafilovën ishte për të larguar vëmendjen nga rasti Dehari


