Lajme

Gjuha përçmuese e Zafës ndaj Totajt dhe hasjanëve, reagon asamblisti nga Hasi: Bujaria jonë shpesh është keqpërdorë, por për ne është e shenjtë

11/05/2025 19:48
nga:Sh R

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Haziz Hodaj, ka reaguar ndaj deklaratave përçmuese të Zafir Berishës drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe komunitetit hasjan.

Në një reagim në rrjete sociale, Hodaj ka thënë se gjuha e përdorur nga Berisha është fyese dhe përbuzëse ndaj vlerave të Hasit, duke kujtuar se bujaria e hasjanëve është trashëgimi dhe vlerë e patjetërsueshme.

“Furrat e pjekin bukën e bardhë, edhe të zezën besa, atë bukë që në sofrat hasjane i është servu me shumë dashuri mikut.
Bujaria hasjane si vlerë e pakontestueshme e jona shpesh është keqpërdorë, shpesh është përdhosë, por hasjanët me krenari e fanatizëm e kanë ruajtur, e kanë kultivuar duke e konsideruar atë si të shenjtë,” ka shkruar Hodaj.

Ai ka shtuar me ironi se “furrat djegin edhe mbeturinat – në Shqipëri po i quajnë inceneratorë”, duke aluduar në mënyrën se si disa persona keqpërdorin mikpritjen dhe mirësinë e hasjanëve.

Deklarata e Hodajt vjen pas një komenti të Zafir Berishës, i cili kishte përdorur fjalë fyese ndaj kryetarit Shaqir Totaj, duke e quajtur bir të “furagjisë”.