Lajme

Policia e Kosovës nis aksionet e dhurimit vullnetar të gjakut

11/03/2025 16:47
nga:N K

Sot është mbajtur aksioni i parë me pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në Kampin “Bellvedere” në Mitrovicë, duke vazhduar traditën e organizimit të dy aksioneve të dhurimit të gjakut çdo vit në kuadër të Policisë së Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook të “Transfuzioni i Gjakut – Kosovë”.

“Ky aktivitet u realizua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të promovimit të dhurimit vullnetar të gjakut dhe ndihmës për pacientët që kanë nevojë për trajtim”, thuhet në njoftim.

Nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është falënderuar Njësia Speciale për humanizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre të vazhdueshme për të shpëtuar jetë.