Ish-deputeti i GUXO-s, Burim Meta, dhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, janë përfshirë në një debat në Facebook, pas një deklarate të Bajramit në emisionin Debat Plus të Televizionit Dukagjini.
Meta kritikoi Bajramin për deklaratat e saj kundër presidentes Vjosa Osmani dhe për qëndrimin ndaj Listës Serbe.
Ai i quajti komentet e deputetes jo të përgjegjshme dhe anti-shtetërore, duke theksuar se janë larg frymës që dikur e bënte LDK-në shtëpi të demokracisë dhe shtetndërtimit.
“Si duket Hykmete Bajramin e paska marrë malli për rezultatin e vitit 2021!
Deklaratat e deputetes dhe mikës time Hykmete Bajrami, kundër Presidentes Vjosa Osmani, përderisa në të njëjtën intervistë thotë se nuk ka problem me Listën Serbe, janë jo vetëm të papërgjegjshme e anti-shtetërore, por edhe larg frymës që dikur e bënte LDK-në shtëpi të të gjithë atyre që besonin në demokraci, dinjitet dhe shtetndërtim.
Si nuk i vjen turp me sulmu Presidenten Osmani e me e mbrojtë Listën Serbe? Por nga të tillët s’duhet të befasohemi më”, ka shkruar Meta.
Në përgjigje, Bajrami ka thënë se nuk ka ndërtuar karrierën e saj politike duke qenë avokatja e askujt dhe nuk mbron Listën Serbe. Ajo sqaroi se është e bindur se politika e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit e ka bërë Listën Serbe një faktor politik.
“Doktor,
Unë karrierën time politike se kam ndërtu tu qënë avokatja e askujt, as nuk e bëj një gjë të tillë me ditë që mbes pa asnjë votë, sepse ka tjerë, politika vazhdon edhe pa mua siç po vazhdon pa ty.
Unë e kam shprehë mendimin tim për kthimin potencial të Vjosa Osmanit në LDK, bile me sqaru mirë edhe një herë po ta them se sipas meje ajo është shkaktarja kryesore e rënies së LDK-së në 12% DHE e rritjes aksidentale të Kurtit/LVV-së në 51% në vitin 2021.
Për Listën Serbe nuk kanë kredenciale të flasin ata që janë koordinu ditë e natë me të njëjtit ose mbajnë poste të larta me votën e Adem Hoxhes!
Ndërsa unë nuk e mbroj Listën Serbe, unë jam e bindur se politika e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit e ka bë faktor Listën Serbe, përndryshe me i pas pasë veprat siç i kanë fjalët Vjosa Osmani e Albin Kurti, Lista Serbe sot nuk kish qënë as parti politike e çertifikuar e financuar nga KQZ-ja, ndërsa ti si mjek kishe qënë në gjendje me tregu për ndonjë progres që është bë në fushën e shëndetësisë.
Andaj mos shpif se marre!
E vërtetë se unë s’kam problem me asnjë parti, kam problem me rrënimin që po i bëhet shtetit dhe mënyra se si Lista Serbe përdorët si gogol për secilin dështim që pesë vite rresht.
E mora mundin me të shkru, se jemi përshëndet koridorëve të Kuvendit për një mandat”, ka shkruar Bajrami.


