Lajme

Murati përsëri me sulme ndaj PDK-së e LDK-së: Po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare

11/03/2025 11:09
nga:Genita C

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, përsëri ka sulmuar partitë e ish-opozitës lidhur me buxhetin për RTK-në.

Ai ka thënë se PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë komisionet parlamentare që do të mundësonin pagesat për RTK dhe miratimin e buxhetit.

“Argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron.” – ka thënë ai.

Postimi:

Krejt çfarë duhet për ekzekutim të buxhetit për RTK-në është vendimi i Komisionit Parlamentar për Buxhet. Me atë vendim, Thesari i shtetit brenda ditës e ekzekuton transferin e mjeteve, siç edhe e bën çdo herë.

Mirëpo PDK dhe LDK po refuzojnë të krijojnë Komisionet Parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në, komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, siç dhe po rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron.

Kuvendi mund të formojë fillimisht vetëm komisionet e përhershme: për buxhet, për legjislacion, për integrim evropian, dhe për të drejtat e komuniteteve. Këto komisione do të mjaftonin që të shqyrtoheshin të gjitha çështjet emergjente si buxheti dhe plani i rritjes i BE-së.

Kurse komisionet tjera, të cilat me formulë i takojnë opozitës, por edhe ato që mbikqyrin dikastere përkatëse të ekzekutivit, mund të formohen tek kur të ketë qeveri fuqiplotë dhe të dihet kush është pozita e kush opozita.

Deri atëherë, mund të ketë zgjidhje të përkohshme që mundëson tejkalimin e ngërçit. Vetëm duhet vullnet politik nga ana e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.