Vullnet Bugaqku, KDI, ka folur për hapat që pritet t’i ndërmarrë presidentja Vjosa Osmani gjatë kësaj jave lidhur me formimin e qeverisë së re.
Në një deklaratë për GazetaBlic, Bugaqku ka theksuar se presidentja ka afat deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do të caktojë një mandatar të ri për formimin e qeverisë, në rast se paraqitet ndonjë kandidat tjetër që pretendon mbështetjen e shumicës parlamentare.
“Deri më 5 nëntor ka afat. Deri në këtë datë, ka mundësi me vendos me caktu mandatarin tjetër, nëse paraqitet ndonjëri”, ka thënë Bugaqku.
Çka deklaruan liderët e partive politike në takimin e fundit me Vjosa Osmanin?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit që mbajti me liderët e partive politike për situatën aktuale në vend.
Para mediave, Osmani tha se në takim u diskutua për një sërë çështjes, derisa në mesin e tyre më e rëndësishmja ajo e paracaktimit të mandatarit tjetër.
E para e shtetit tha se kishte qëndrime të ndryshme, por megjithatë shtoi se kushdo që ka gatishmëri për një takim tjetër, do t’i pres.
“Disa prej përfaqësuesve kishin qëndrime që nuk ka shumicë”, tha ajo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nga ky takim bëri të qartë se asnjëra parti nuk mund ta bëjë shumicën e re parlamentare.

“Diskutuam rreth mundësisë,ose jo, të në mandatari të ardhshëm, dhe ajo që është më e rëndësishme nga ky takim, është që u bë e qartë se askush uk mundet me e kriju shumicën e re parlamentare bazuar në legjislaturën aktuale”, u shpreh Krasniqi.
“Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve”, tha tutje ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nuk ka shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re.

“Në këtë takim u dëshmua ajo që LDK-ja kishte thënë gjithherë, që në Kosovë, pas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare”, u shpreh ai.
Abdixhiku thotë se ky ishte deklarimi i 52 përfaqësuesve të partive në takimin e sotëm me të parën e shtetit.
Derisa ai shtoi se në takimin me presidenten, u përmend shpesh edhe qeveria e tranzicionit. Por, i pari i LDK-së shtoi se një qeveri e tillë nuk mund të krijohet tani.
“Sa më parë që i organizojmë zgjedhjet, i shmangemi krizave eventuale”, tha ai tutje.
Abdixhiku po ashtu deklaroi se tani është në dorën e të parës së vendit, deri të mërkurën, të përcaktojë se a ka shumicë parlamentare, apo nëse nuk ka.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, tha se askush nuk e ka shumicën për formimin e Qeverisë.

Ai tha edhe një datë për zgjedhje.
“Po ndodhin zgjedhjet parlamentare, besoj që me 5 nëntor kemi me e marr lajmin për me u shpërnda kuvendi, 7 dhjetori është opsion i mirë për zgjedhje. Kërkush nuk e ka shumicën për qeveri. Ne duam që në afatin më të parë kushtetues të mbahen zgjedhjet”, tha Haradinaj.
Ndërsa, Kkreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, nuk ka dhënë deklaratë për mediat pas takimit që liderët politikë zhvilluan me Presidenten Vjosa Osmani.
Pas përfundimit të takimit, ai u tha shkurt gazetarëve: “Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta”
Ky takim erdhi pas dështimit të Kurtit më 26 tetor për të marrë besimin e Kuvendit për qeverinë e re, duke theksuar situatën e vështirë politike në vend.
/GazetaBlic/



