Turizem

Fshati turistik i Linit shpallet ansambël arkitektonik

11/02/2025 16:46
nga:G B

Fshati turistik i Linit,një nga atraksionet më të veçantë që pozicionohet përgjatë bregut të Liqenit të Pogradecit, tashmë do të mbrohet me status të posaçëm ligjor.

Të gjitha banesat e fshatit janë shpallur Ansambël Arkitektonik, duke siguruar kështu mbrojtje të plotë për trashëgiminë e tij historike dhe kulturore.

Ky status i ri vjen si një hap i rëndësishëm në ruajtjen e vlerave të Linit, i cili deri tani ka qenë pjesë e Zonës së Mbrojtur të UNESCO-s dhe i mbrojtur nga legjislacioni vendas. Shumica e banesave në fshat datojnë nga shekulli XVIII dhe XIX.

Ato janë ndërtuar kryesisht me gur dhe ruajnë elemente të veçanta arkitektonike që nuk gjenden në fshatrat e tjerë përgjatë liqenit. Pikërisht kjo autenticitet e ka bërë Linin pjesë të mbrojtjes së UNESCO-s.

Përfshirja në kuadrin e ri mbrojtës ligjor pritet të nxisë zbatimin e projekteve të zhvillimit turistik në zonë, sidomos në vendet ku janë zbuluar objekte arkeologjike me vlerë të rrallë, të cilat do të pasurojnë më tej ofertën turistike të Pogradecit.