Lajme

Hisen Berisha: Pa Qeveri të formuar, s’ka organ kushtetues që ka të drejtë të paraqesë projektbuxhet për miratim

10/28/2025 20:21
nga:N K

Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka komentuar çështjen e thirrjes së Kryesisë së Kuvendit për të diskutuar miratimin e buxhetit, kur Qeveria ende nuk është formuar, si një ndër testet më të rëndësishme të respektimit të ndarjes së pushteteve dhe rendit kushtetues në Kosovë.

Sipas Berishës, pa një Qeveri të formuar dhe me mandat të plotë, nuk ekziston organ kushtetues që ka të drejtë ta paraqesë projektbuxhetin për miratim., raporton GazetaBlic.

“Sipas Kushtetutës, neneve përkatëse, Kuvendi miraton buxhetin e Republikës së Kosovës, por vetëm me propozim të Qeverisë.Po ashtu, e përcakton qartë se është Qeveria ajo që e përgatit dhe paraqet në Kuvend projektligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës”.

“Edhe Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e përcakton se Qeveria ushtron funksionet e saj vetëm pas zgjedhjes dhe dhënies së betimit të Kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.Po ashtu, e thekson se Qeveria është ajo që përgatit dhe i paraqet Kuvendit projektligjin e buxhetit”.

Tutje ai theksoi se një Qeveri në detyrë, pra pa mandat të ri politik, nuk mund të miratojë apo të propozojë buxhet të ri vjetor, dhe se kompetencat e saj kufizohen vetëm në shpenzime të domosdoshme për funksionimin e administratës dhe në çështje urgjente me karakter teknik.

“Kryesia mund të diskutojë vetëm çështje procedurale, si planifikimi i seancave apo përgatitja e dokumenteve, por jo përmbajtjen apo miratimin e buxhetit, sepse do të përbënte tejkalim kompetencash”.

Sipas Berishës, e vetmja mundësi ligjore është shfrytëzimi i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, që parasheh financimin e përkohshëm në rast të vonesave për miratimin e buxhetit, me shpenzime mujore që nuk tejkalojnë 1/12 e buxhetit të vitit paraprak.

“Në çdo rast tjetër, çdo veprim i Kuvendit ose Kryesisë që synon të zëvendësojë funksionin e Qeverisë në këtë proces, është antikushtetues, pa efekt juridik dhe politikisht i rrezikshëm, sepse cenon parimin themelor të rendit demokratik dhe ndarjen e pushteteve dhe kontrollin reciprok të tyre”- përfundoi Berisha për GazetaBlic.

Demhasaj: Qeveria në detyrë nuk duhet të propozojë buxhet, mandati i saj ka skaduar