Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për bllokim të shtetit, shkelje të Kushtetutës, uzurpim të institucioneve dhe mungesë respekti ndaj gjykatave dhe prokurorisë, raporton GazetaBlic.
Abdixhiku tha se Kurti nuk kupton parimet, dinjitetin në politikë dhe madhështinë e LDK-së, duke theksuar se partia po ecën e fortë në rrugën e vet dhe do të mbetet gjithmonë krenare dhe faqebardhë.
Postimi i plotë:
Jam i bindur se parimet nuk i kupton.
Fjalën e dhënë edhe më pak.
Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkelë Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeminsitër e herë deputet; një njeri që s’respekton Gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rritë familjen e vet; një njeri që vendoset mbi prokurorinë e mbronë të korruptuarit partiak veç se janë të tijë; një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçanë kudo që prekë; një njeri që akuzon kundërshtarët politik, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhëtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas; një njeri që na izolon Republikën e vet, e na e humbet të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin, e afrimin si akt patriotik sot; një njeri që ndryshon pa mërzi secilin premtim publik;
– një njeri i tillë, natyrisht se nuk e kupton se çka do të thotë parimi i drejtë në jetë.
Se kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës; e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë.
Dhe s’ka pozitë, s’ka pushtet e s’ka ofertë që mund të shkelë mbi këtë vlerë.
Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton.
Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens.
LDK-në mund ta sulmoni. Mund dhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vie rendi për më shumë. LDK po ecën drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoj vet.
Zot politik, kjo LDK, ka vetëm elektoratin e vet dhe koha e LDK-së nuk ndërtohet në prehërin e askujt. LDK ka shtratin e vet; lumi i saj rrjedhë fort gjithherë. Sepse ishim, jemi dhe do të mbesim të vërtetë. Krenar e faqebardhë dhe me besim të fortë në të ardhmen e popullit tonë.
Gjërat vijnë e shkojnë; një gjë s’ndryshon kurrë.
LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! ✌️
Dritë do të ketë!


