Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka filluar sërish operacionin për gjetjen e Florjan Tabakut nga Tropoja e Shqipërisë, person me nevoja të veçanta, i cili është raportuar i zhdukur më 20 tetor në Kosovë.
Në një njoftim, shoqata thekson se operacionin e kërkim-shpëtimit e kanë realizuar në bashkëpunim me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ekipet e angazhuara kanë zhvilluar kërkime intensive në terren të vështirë dhe kushte atmosferike të ftohta, duke demonstruar bashkëpunim dhe përkushtim të lartë profesional”, thuhet në njoftim.
Klan Kosova.tv ka kontaktuar ShKKSh-në për rastin në fjalë, ku u pohua se operacioni i kërkim-shpëtimit ka ardhur pas kërkesës së familjes së Tabakut dhe Policisë së Kosovës.
Nga kjo shoqatë theksohet se për sot i kanë ndërprerë kërkimet për shkak se në zonën ku janë duke proceduar ka mina dhe mund të paraqesë rrezik.
Vëllai i tij i është drejtuar redaksisë së Klankosova.tv për të kërkuar ndihmë në gjetjen e tij të mërkurën.
“Më ka humbur vëllai, ka 3 ditë. Është më aftësi të kufizuara”, tha vëllai i Florjanit.
Kushdo që ka informacione për 26-vjeçarin i cili ka humbur në kufirin mes Shqipërsë dhe Kosovës, mund të kontaktoni në këta numra: +355 69 393 8983 ose +355 68 340 7951.


