Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me kryetarët e 83 nëndegëve të Prishtinës, ku ka shprehur falënderimin e tij për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe ka theksuar përgatitjet për fitoren përfundimtare në rundin e dytë.
Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku ka bërë të ditur se takimi kishte për qëllim falënderimin dhe mobilizimin e strukturave të partisë në kryeqytet.
“Takuam kryetarët e 83 nëndegëve të Prishtinës. Për t’i falenderuar e uruar fillimisht që na rikthyen si parti të parë në Kryeqytet; e për t’i nisur që nga tani punët e mëdha që na presin deri në festën e 9 nëntorit,” ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka vlerësuar se Prishtina është model i organizimit partiak dhe aktivizimit qytetar, duke theksuar se entuziazmi i garës është rikthyer fuqishëm në kryeqytet.
“Prishtina është model. I organizimit partiak; aktivizimit qytetar dhe i entuziazmit elektoral. Jemi gati. Jemi shumë. Jemi të parët. Le të fitojmë tani,” ka shtuar ai.
Në përmbyllje, Abdixhiku ka dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje për kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Ramën, duke theksuar se partia është e bashkuar dhe e përgatitur për një tjetër mandat qeverisës në kryeqytet.
“Me Përparim Ramën kryetar edhe katër!”
Ky takim, sipas LDK-së, shënon fillimin e fazës përfundimtare të mobilizimit në Prishtinë, me synim ruajtjen e epërsisë dhe sigurimin e fitores në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.


