Lajme

Të shtëna dhe zjarr në kampin pro-qeveritar para parlamentit në Serbi, 1 i plagosur!

10/22/2025 12:18
nga:Y I

Një incident i rëndë ka ndodhur të mërkurën para ndërtesës së Parlamentit në Beograd, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri në një kamp tendash pro-qeveritare.

Sipas pamjeve të publikuara nga disa deputetë serbë, disa tenda shpërthyen në flakë pas të shtënave.

Sipas raportimeve të mediave serbe, një person ka mbetur i plagosur, ndërsa pamjet filmike tregojnë ndërhyrjen e policisë dhe një burrë që del nga një prej tendave të përfshira nga zjarri.

Deputetja e opozitës, Marinika Tepić, nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, deklaroi në platformën X (ish-Twitter):

“Dikush qëlloi me armë zjarri dhe më pas u vuri flakën tendave”.

Agjencia e lajmeve FoNet raportoi se policia i kishte njoftuar shërbimet e emergjencës për një shpërthim të një bombole gazi, gjithashtu përpara Parlamentit.

Në vendngjarje, forcat e rendit gjetën një burrë me plagë nga armë zjarri.
Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkakun e incidentit apo identitetin e të plagosurit.

Mediat serbe raportuan se oficerët e policisë që ndërhynë në vendngjarje dyshohet se i bërtitën sulmuesit të lëshonte armën.

Një burrë u gjet në vendngjarje me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.