Lajme

Ali Sefaj: OVL-ja është trashëgimtare e UÇK-së, askush s’mund të jetë më i madh se ajo

10/19/2025 14:24
nga:Genita C

Ali Sefaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se askush nuk mund të qëndrojë mbi të.

Sefaj ka thënë se asnjë familje nuk është më e madhe se UÇK-ja, duke theksuar se shumë familje janë bërë të mëdha falë luftës së saj për liri.

“Ka shumë familje që i ka bërë të mëdha UÇK-ja, sepse ajo e fitoi luftën dhe baballarët, djemtë e vajzat e tyre u bënë heronj dhe heroina. Ndryshe do harroheshin si Shaban Polluzha dhe shumë heronj të tjerë gjatë 100 viteve të fundit”, ka shkruar ai.

Në postimin e tij, Sefaj ka nënvizuar se familjet e dëshmorëve janë familje emblematike, por sipas tij, veteranët janë ata që e përmbyllën luftën dhe çlirimin e vendit.

“UÇK-ja janë veteranët, ata që luftuan deri në çlirim dhe e çuan në vend amanetin e dëshmorëve – lirinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sefaj ka theksuar se veteranët janë vetë UÇK-ja, duke kundërshtuar përpjekjet që, sipas tij, individë apo familje të veçanta të marrin rolin përfaqësues të saj.

“Më të mëdhenj se UÇK-ja, dhe më UÇK se vetë veteranët, nuk mund të jetë asnjë familje e veçantë, pavarësisht kontributit e sakrificave për liri dhe numrit të të vrarëve”, ka theksuar ai.

Në fund, Sefaj ka përmbyllur se vetëm OVL-UÇK përfaqëson veteranët dhe trashëgon misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“OVL-ja është trashëgimtare e UÇK-së dhe veteranët janë vetë UÇK-ja, jo dikush tjetër”, ka shkruar ai.