Analistja politike, Shqipe Pantina, ka folur për mundësinë e formimit të qeverisë së re.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic ka thënë se VV dhe Albin Kurti s’kanë qëllim ta formojnë qeverinë e re, andaj gjasat janë të mëdha që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme këtë vit.
“Nuk besoj se VV dhe Albin Kurti kanë për qëllim ta formojnë qeverinë e re, sepse jo vetëm që nuk ka përpjekje këto ditët e fundit pasi është mandatuar por kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe nuk kemi parë përpjekje serioze nga LVV e cila ka dalë e para në zgjedhje, për ta formuar qeverinë. Kështu që gjasat janë shumë të mëdha që ne do të kemi shumë shpejt, ndoshta brenda këtij viti madje zgjedhje të reja edhe për Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Por, a janë zgjedhjet tani zgjidhje e situatës?
Pantina vlerëson se në rrethanat aktuale janë e vetmja zgjidhje, teksa përmend dhe çështjen e Presidentit, për çka thotë se Vjosa Osmani s’ka numra që ta marrë dhe një mandat.
“Në rrethanat aktuale unë mendoj se është e vetmja zgjidhje, marrë parasysh faktin që në mars pritet t’i skadojë afati presidentes dhe do të kemi zgjedhje të reja për president. Numrat aktual në Kuvend nuk garantojnë që Vjosa Osmani do të mund të marrë një mandat të dytë, kështu që unë pres që të ketë zgjedhje dhe të ketë megjithatë ndryshime në skenën politike në nivel qendror”, thekson ajo për Gazeta Blic.
Në zgjedhjet e reja, ajo pret rënie të VV-së dhe ngritje të LDK-së e PDK-së.
“Unë pres rënie të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ngritje sidomos të dy partive më të mëdha ish opozitare, PDK dhe LDK”, ka deklaruar Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


